Dasma E Nënës Sime Poem by Gent Demi

Dasma E Nënës Sime

Pas vajtimit të çdo dallge ti shfaqesh
Me fustanin e nusërisë nëna ime
Kam frikë të të flas
Kam frikë të të prek
Ke një ëndërr kaq të bukur në buzë
Ke një dëshirë aq të lodhur në flokët e shpupuritur
Ke një dashuri aq të dhimbsur në duart e varura...
Fli nënë
Fli
Deti të mbështjell nga të katër anët
Të ruan deti mos të të zgjojë askush
As mua nuk më lë të avitem
Tringëllojnë yjet me alarm
Për çdo lëvizje timen

Mes qiellit të natës nuk lundron me hëna
Fustani yt i bardhë lundron
Si re
Mos më thuaj nënë se është nata e dasmës tënde
Festojnë për ty det dhe qiell
Dhe unë, biri yt
I fundmi dasmor
Ngre dolli me lotët e mi të lumturisë
Qeshu nëna ime e përgjumur
Dhe vallëzo tërë këtë natë
Si vajzë e porsadashuruar le të rrotullohet fustani yt
Për hir
Të gjithë dhimbjeve dhe klithmave të lindjes
Për hir të brengave që t'i varën qerpikët
Dhe flokët t'i thanë
Për hir të frikës që si qen të ndoqi
Me kockat e tua nëpër gojë
Për hir të gjithë viteve që ikën
Duke të lënë në duar nga një shpresë
Si lule kujtimi

Një kalë i bardhë trokëllin në kufijtë e kësaj nate nënë
Një kalë krejt i bardhë
Me sy të mëdhenj e të përlotur...
Kalëro mbi gëzimin tënd nënë
Krahët lëri hapur
Pafund
Si vela mbi det.
Shpirtin
Lëre të këndojë
Këngën e ndaluar të vajzërisë
Erërat e dashursë
Lëri të fryjnë tej e tej trupit tënd.
Fluturo nënë me fustanin e bardhë të lumturisë
Dhe ndjeje për herë të parë
Se jeton.

Je kaq e bukur këtë natë nëna ime
Krejt e paprekshme
Je kaq e bukur...!


1993

Dasma E Nënës Sime
Saturday, January 14, 2017
Topic(s) of this poem: poem
POET'S NOTES ABOUT THE POEM
Gjak lulesh,1993
COMMENTS OF THE POEM
READ THIS POEM IN OTHER LANGUAGES
Gent Demi

Gent Demi

Tirana
Close
Error Success