Ujrat Poem by Mihal Zallari

Ujrat

Zbresin ujrat malit tatëpjetë
Dhe murmurojnë
Ngrehin lulet kryet përpjetë
Dhe po përgjojnë.

Ah! T'i ndalojnë, me ta të bredhin
Sa dëshirojnë
Rrjedhin ujrat një sy iu hedhin
Rrugën vazhdojnë.
Dalin nga nata, ku mëmat endin
Të jetës fije,
Nga vend' i heshtjes, ku sendet s'hedhin
As drit' as hije.

Ç'është e keqe, ç'është e mirë
Ata s'e ndjejnë,
Gjithmonë lëvizës, në forcën e lirë
Gëzimin gjejnë.

Herë shpërthejnë, urat tronditin
Dhe i rrëzojnë,
Herë, të qetë, fushat vaditin
I pasurojnë.

Forca të fshehta motit kan' ngritur
Pllaja dhe male,
Ujrat plotësojnë, duke skalitur
Veprën e madhe.

Gjith' elementet dhe forcat e fshehta
Sodit dhe motit
Një qëllim mbartin, sa të jet' jeta
Planin e Zotit.

* * *

Zbresin ujrat malit tatëpjetë
Dhe murmurojnë
Dalin përpara lulet plot jetë
I ngjatjetojnë

Nëntor 1947

COMMENTS OF THE POEM
READ THIS POEM IN OTHER LANGUAGES
Mihal Zallari

Mihal Zallari

Frashër
Close
Error Success