Na Hidhëroi Kjo Stinë Përvëlimtare. Poem by skender iljaz braka

Na Hidhëroi Kjo Stinë Përvëlimtare.

Na hidhëroi kjo stinë përvëlimtare.
Ky korrik, si një i huaj i ardhur nga larg,
këmbanën e zisë poetike kumboi.
Mesnatës dhe agsholit u drithërua shkëmbi i kuq.
Një gjeth papritmas u tha, dheut iu këput,
si venitja e heshtur e luleve vjeshtore.

Ngushëllim! Vetëm ngushëllim, popull!
Ti që linde mbi një pirg vegimesh të shprishura,
gur i rreshkët dhimbjesh u rrite.
Në mal të shpirtit, çdo pikë loti i Kosovës
u kthye tek ti në ortek.

Oshtimë e largët ngërthyer në dhëmbë graniti.
Lumi i pandalshëm i muzës tënde u bë det.
Zëri yt shpërthyes, si lulakët e parë të pranverës,
mbiu muzgut të dheut të ftohtë,
mbi shtresëzimin e ngurtësuar të brymës së harresës.
Ishte zëri i ujërave mes pyllnajash gurgulluar,
që pritjen e përjetonte mes dhimbjesh dhe dënesës.

Kur Prishtina gjëmonte,
ti udhëve të saj dilje me flokët e njomësht.
Në sytë e nemitur kishte vetëm gjak
dhe shkopinj të hekurt të shqaut barbar.
Veten s'e ndieje të gjallë, por s'e ndieje as të vdekur.
Me zemrën e dritës vështroje heshtjen duke qarë.

Mbi rrafshin tënd të dashur sot bien psherëtima të prera,
bien tinguj të ngërthyer
prej gjetheve të bulbit të tharë.
Së shpejti do të gëlojë një bulë e kristaltë jete,
tokën tënde të djegur për të ushqyer.
Ti linde si zambak i bardhë
që ngjallet prej tokës së tretur.

Ndaj na ike kështu …
një një poet i madh …
një burrë i heshtur …

Ngushëllim! Vetëm ngushëllim, popull,
për njeriun që kurrë s'ka për të vdekur!

Monday, July 7, 2014
Topic(s) of this poem: art
COMMENTS OF THE POEM
READ THIS POEM IN OTHER LANGUAGES
Close
Error Success