Aroma E Shpërthimit Të Borzilokut Të Parë Poem by skender iljaz braka

Aroma E Shpërthimit Të Borzilokut Të Parë



Aroma e shpërthimit të borzilokut të parë
varur në kryqin e padukshëm të ditës.
Në tejdukshmërinë e ujërave të perëndimit,
mes valëzimit të qelqtë, rridhnin çastet, minutat.
Heshtja heshtjen përpinte me dhimbjen e moskthimit.
Lamtumira e një zëri të padëgjuar në kiçin e tragetit
dhe puthja e gishtërinjëve prej buzëve të përvëluara,
shkundënin pluhurin e lodhjes së humbjes.
Nuk do të ketë më kthim mbi të shtata ngjyrimet e ylberit.
Kthim nuk do të ketë më tek borduri i basenit.
Diçka do ti mungoj shpërthimit të borzilokut në ballkon
dhe takimit të pare tek stacioni i trenit.
Dhe shkumëzimi i valëve në mol, prej ndarjes,
nuk e gjen dot qetesin e tij.
Tej ndihet vaji i hekurt i një këmbane,
si sytë e shndritshëm të një vajze, dikur.
Aroma e shpërthimit të borzilokut të pare…

Thursday, May 29, 2014
Topic(s) of this poem: love
COMMENTS OF THE POEM
READ THIS POEM IN OTHER LANGUAGES
Close
Error Success