Leter Mikes Sime Poem by skender iljaz braka

Leter Mikes Sime

E dashur mikja ime
Sot më erdhi me postë libri juaj i fundit. Nuk më kishe thënë dhe as më kishe shkruajtur. Ty gjithmonë të kanë pëqyer suprizat dhe kjo ishte një suprizë e këndshme dhe tëpër befasuese. Gjithmonë kam provuar një kënaqësi të veçant kur merrja libra prej miqëve të mi. Rëndom, në kësi rastesh njeriu përjeton ndjesi dhe kënaqësira të tilla, që rrallëherë i qëllon ti provojë në jetë. Kur më thanë se duhet të firmosja në një letër, ende nuk më besohej se ju më kishit dërguar diçka. Firmosa pa hezituar, mora në duar pakon, falenderova dhe pasi u zbytha disa hapa pas, e hapa pakon ku ti kishte mbështjellë librin tënd. (që ishte libri i katërt që ju kishit botuar dhe unë kisha qënë pjesmarrës në të katër promovimet e tyre) dhe pasi i hodha një sy, e lëshova ngadalë mbi tavolinën time të punës mes qindra fletëve dhe librave me të cilët unë punoj përditë.Jam ca i rrëmujshëm, por dreqi ta hajë, kështu qënka gatuar ky soji yn që merret me shkrime. E lëshova aq ngadalë si të ishte një gotë kristali, të cilës i frikesha se mos e thyeja. Të falenderova në heshtje mikja ime për respektin, kujdesin dhe vëmëndjen që tergove edhe në këtë rast dhe më pas, mbase i shtyrë edhe prej një ndjenje shfajsimi, pendese, apo më tepër, si për t'u çliruar prej një brenge, të cilën e kam mbajtur përbrenda që prej ditës që ti botove librin tënd të parë, u ula për të shkruajtur këto dy-tri rradhë. Të lutem, bëhuni e duruar dhe lexojeni deri në fjalën e fundit këtë letër! Natyrisht, e di se që në krye kjo letër do të duket e pabesueshme dhe, gjithçka që do të lexosh më poshtë ka për të të ngjarë si një krismë rrufeje në një qiell të pastër.
Mbase do të duket edhe e habitshme. Mbase, ku ta di..... Ka do kohë që letrat kanë dal disi jashtë mode, por mua si krijues dhe juve ca më shumë si një e tillë, e dimë dhe e ndjejmë se asgjë më shumë se një shkrim në letër nuk ta zvëndëson kënaqësinë dhe të përjetuerit të emocioneve që të jep një e tillë. Kësisoj kam bindjen dhe besimin se keni për t'i kushtuar vëmëndjen dhe interesin e duhur. Dua të them që ndodhka në jetë që njeriu për ç'arsye të pa justifikueshme arrin të përbuzë dhe të urrjej edhe njerëz me të cilët prej një kohe të gjatë e kanë lidhur qëllime dhe ideale të njëjta. E them këtë se edhe ne, prej kaq shumë vitesh njohje kemi qënë dhe vazhdojmë të jemi miq të mirë dhe ty, që kurrë ndonjëherë nuk e ke paragjykuar qëndrimin dhe sjelljen time, do të duket krejt e habitshme, madje pse jo, edhe si ndonjë lajthitje imja e çastit. Por besomë, unë po të shkruaj gjithçka që ndjej, gjithçka që më ka munduar dhe që vazhdon të më mundoj.Po të shkruaj, sepse nuk po mundem më të përballoj ndjenjën e fajësisë, që po më grryen përbrënda më tepër seç më ka brejtur dhe grryer ajo ndjenjë xhelozie ndaj krijimtarisë tënde.
Kur unë nisa të publikoja krijimet e mia në njërin prej rreteve sociale, ti ishe ndër të parat që më nxisje dhe më inkurajoje të mos i shkëputesha kësaj rruge të bukur dhe më motivoje të isha përherë e më shumë në kërkim të vetvetes. Fal disa aftësive të mia, unë kisha arritur të gjeja një mënyrë timen për t'iu imponuar miqëve që të më komentonin. Çuditërisht talentin tim kisha nisur ta masja jo me cilësinë e shkrimit më tepër se sa me numërin artificial të klikimeve e, kësisoj nga ky shkak, pak nga pak si pa kuptuar po niste të më pëlqente vetja prej përgëdhelive të miqëve. Mbushesha me një ndjenjë vekënaqësie dhe euforie aq sa ngandonjëherë më dukej sikur unë isha shkrimtari më i mirë në botë. Pas çdo skice, portreti apo tregimi që ti më lexoje, gjeje kohë dhe më shkruaje se unë i njihja mirë kërkesat e prozës dhe se gjeja tema interesante krejt të zakonsheme dhe i shndrroja me fuqinë e artit në të jashtëzakonshme. Ti as që e merrje me mënd se sa krahë më jepnin këto fjalë dhe m'a përforconin bindjen se në një ditë jo të largët, gazetat do të mbushnin faqet me shkrimet për mua dhe se ekranet e televizioneve do të çaheshin prej portretit tim në studiot e tyre. Për ditë e më shumë më dukej sikur po shkëlqente ylli im, i cili përveç kënaqësisë së madhe shpirtërore, ishte edhe një lloj sfide për gjithë ata që më kishin sulmuar, ose më keq, kishin shfaqur nihilizmin e tyre ndaj krijimeve të mia.
Deri ditën që ti nuk e kishe botuar librin tënd të parë dhe, unë të lexoja me kënaqësi dhe ëndje nëpër faqet e internetit, ti ishe për mua jo vetëm një krijuese e mirë, por edhe një mikeshë, një njeri që dije të falje kurdoherë mirësi dhe dashamirësi. Ishe një grua fisnike, që për një pjesë të madhe lexuesish dhe dashamirësish, u ktheve në një pikë referimi, në një burim frymëzimi, një shënjtore e pa shënjtëruar. Sinqerisht, deri asaj dite, as që më kishte shkuar nëpër mend se do të ndodhte kështu me mua. Dhe pse asaj dite kur ti porsa kishte nxjerr nga shtypi librin dhe kishe hedhur nëpër faqet e rrjeteve sociale kopertinën, atë kopertinë, e cila më dukej sikur ajo m'a kishte të gjithë fajin, unë të shkuajta dy fjalë përgëzimi. Po, po, më kujtohet si sot. Të shkruajta vetëm dy fjalë dhe më në fund pas tyre....Urime, përsëri seç ndjeva thellë vetes. Ty mbase nuk ta vrau syrin komenti im i ftohtë dhe i thatë. Ndoshta vërtetë kishe dashur që unë të shkruaja diçka më shumë, diçka që më shumë se sa një përgëdhelje sedre, diçka që të kishte formën dhe brendin e një reçence të shkurtë. Fakti që ti nuk më the as edhe një fjalë dhe nuk më krijove mundësinë që unë të hamëndësoja të kundërtën, më bëri të mendoja se ti kishe ditur me atë mënyrën tënde ta anashkaloje pa më rënë fare në sy. Por vetëm tani po u'a them; nuk më bënte dora të shkruaj gjatë, ashtu sikurse të kisha shkruajtur në ato dhjetra e qindra krijime. Nuk më bëhej të shkruaja më në krijimet e tua komente, në të cilat ti nuk nguroje të më vlerësoje, jo vetëm për sinqertetin, por edhe për profesionalizmin tim. Pas ca kohe e ndjeja se nuk e kisha më guximin të vështroja më fotot e tua. Ashtu, ditë pas dite vëreja me keqardhje se po më humbiste dëshira për të lexuar qoftë edhe një rresht të vetëm nga krijimet që ti publikoje.
Ngandonjëherë më erreshin keqazi sytë, kur shihja të rritej maksimalisht trendi i fansave të tu, të cilët të ndiqnin dhe të komentonin me fjalë shumë të bukura, aq sat ë krijonin përrshtypjen se ti ishe me të vërtetë në zenithin e krijimtarisë tënde, ndërsa mua më dukej sikur gjithë krijimtaria ime po përjetonte atë muzgun e vonë, që vetëm një zot pret dhe shpreson se diku do të shfaet një rreze e ftohte diellim.
Nuk mund të qëndroja dot në një vënd, madje as të thërrisja prej hidhërimit të madh që më kishte pllakosur. Ndofta as vet ti nuk ke për t'i besuar këto që do të shkruaj, por besomë kjo është një e vërtetë që mua më ka rënduar prej kaq kohe. Rëndomë mundohesha ta zotëroja veten, por nuk arrija vetëm sa të shfaqja përpara teje vetë maskën time, dhe atë pak pjesë të padukshme fytyre, pasi gjithë pjesën tjetër të fytyrës së vërtetë, sepse e ndjeja sikur nuk ishte më e imja, por e tjetërkujt. E ndërsa ditët shkonin dhe unë vëreja se ty po të vinin tashmë urime nga mediet e ndryshme dhe prej një numëri gjithnjë edhe më i madh krijuesish nga të gjitha anët, nuk doja ta besoja atë që fytyra jote po më dukej krejt e huaj, një fytyrë që merrte përherë e më shumë një shkëlqim mahnitës. Po hyja gjinjë e më thellë në krijimet e tua për të gjetur atë që ty të bënte të lexueshme, që ndërkohë mua më mungonte. Ndihesha i fyer që ti ishe kthyer në pushtuesen më të madhe të faqes tonë në fb. Kisha nisur të urreja prej xhelozisë, e cila sa vinte dhe me bëhej gjithnjë edhe më e madhe ndaj teje. Nuk doja t'ia pranoja vetes që ti shkruaje më mirë se mua dhe se kishe botuar një libër, nje libër fizik, jo një libër virtual. Dhe pse nuk fole asnje fjale për veten tende, përsëri mua më dukej sikur ti më sfidoje çdo ditë e më shumë me krijimet e tua. Ti nuk e kuptoje se ç'mllef më ndizej pas çdo suksesi tëndit. Ti nuk e kuptove as asaj dite kur ne u takuam dhe ulëm në bar për të pirë një kafe, se sa i tensionuar që ndihesha, se sa të ngadalta m'i bënte minutat prania jote, megjithëse çuditërisht kisha një dëshirë të ethshme të qëndroje sa më gjatë pranë meje, sepse ti kishe vërtetë diçka tënden në mënyrën e të komunikuarit, ku pas çdo tingulli të zërit, mbetej një çiltërsia e një fytyre e një krijuese fisnike. Ditë më pas me mendimin për të sfiduar vendosa të bëja diçka më ndryshe. Në ndonjë rast u mundova të të imitoja, por edhe vete e kuptoja se nuk ia kisha arritur atij qëllimi të dëshiruar. Pastaj i nxitur prej kushedi se çfarë ambicjeje apo egoizmi cinik, tentova të të kopjoja, por as në këtë ndërmarrje nuk pata sukses.
Kësisoj, ndërsa ti ngjisje shkallët e suksesit tënd, çuditërisht po vazhdoje tu errësoheshe gjithnjë edhe më shumë syve të mi. Një mend mendova se suksesin tim do ta gjeja tek poetët e huaj, tek ata që nuk jetonin më dhe nxitova të gërmoja nëpër faqet e internetit. U mundova të bëja diçka, por edhe nëpërmjetë kësaj rruge nuk arrita të ngrihesha mbi nivelin e krijimeve të tua. Rëndomë, pendohesha që e shëmtoja aq keqas fytyrën time, por isha i pafuqishëm për të bërë ndryshe përpara pa aftësis sime krijuese. Më vinte të haja veten me dhëmbë nga nervozizmi dhe më keq akoma më vinte turp ta pranoja dështimin. Hera herës i bija tavolinës me grusht dhe dilja nxitimthi në kopështin me lule për tu shlodhur apo qoftë edhe për të larguar ty nga mëndja. Nuk doja të ishe më pjesë e mëndimeve të mia, sepse më dukej sikur padashur ti ishe kthyer në një pengesë serioze e rrugëtimit tim, sikur krijimet e tua po më eklipsonin përditë e më shumë.
Oh sa e vështirë qënka të besosh e mandej të pranosh sukseset e mikut tënd. Nuk paska gjë më të tmerrshme se kjo për një njeri që merret me letra. Kurrë nuk m'a kishte marrë mëndja se tek mua do të ngrinte krye dhe të të shpërthente një egoizëm i tij i shfrenuar ndaj kolegëve të mi e aq më shumë ndaj jush. Kur pas ca kohësh ti dole me romanin tënd të bujshëm, kjo më irritoj edhe më shumë. M'a nxiti edhe më shumë urrejtjen ndaj teje. Nuk më zinte vëndi vënd. M'a bëri xhelozinë ndaj teje më të papranueshme edhe më të papërmbajtshëme. Më dukej sikur ti më kishte marrë muzën dhe më kishe hedhur si me magji farën e shterpërimit. I irrituar prej ecurisë dhe sukseseve tuaja të vazhdueshme, vendosa të të harroja, të të mbaja larg miqëve të mi. Kërkoja që ata të mbeteshin të fokusuar në lavdin time të dikurshme dhe pse po e kuptoja që kësisoj po shteroja çdo ditë e më shumë, se po i bëja Copy Passe vetvetes....Po çmëndesha në një farë mënyre...besom.. nuk kisha ndjer kurrë në jetën time gjë më torturuese se kjo xhelozi, që edhe netëve më kridhte në një lloj zbrazëtie të pafundëme torturuese. Nuk më ngushëllonte më asgjë, madje as edhe ato fjalë të ngrohta që më tha një mikesha ime gazetare, se kjo është një dukuri që shfaqet tek të gjithë brënda llojit. Tani po t'i shkruaj këto radhë, sepse dua të mbetem i sinqert jo vetëm përpara teje, por edhe përpara gjithë miqëve të mi...Nuk dua që askush të më paragjykoj. Ju uroj sinqerisht suksese në rrugën tuaj dhe, duke ju kërkuar edhe një herë ndjesë.

Monday, December 21, 2015
Topic(s) of this poem: love and art
COMMENTS OF THE POEM
READ THIS POEM IN OTHER LANGUAGES
Close
Error Success